5 Temmuz 2016 Salı

Hyrje

Hyrje

 Thuaj: “O njerëz, ju erdhi e Vërteta nga Zoti juaj. Kush udhëzohet në rrugën e drejtë, ai është udhëzuar për dobinë e vet dhe kush e humb rrugën e drejtë, ka humbur në dëmin e vet, ndërsa unë nuk jam mbikëqyrësi juaj”. (Sure Junus: 108)
Ky libër është shkruar për ata të cilët së voni janë njohur me Islamin dhe të cilët tashmë kanë dijeni dhe një shkallë të bindjes ndaj Islamit, por e cila mund të ketë pasur origjinën e tyre në burime të papërshtatshme apo të pabaza. Informacioni të cilin njerëzit e grumbullojnë për Islamin është, në të shumtën e rasteve, i kufizuar në atë që paraqesin familjet e tyre, shokët apo librat e caktuara. Mirëpo, informacionit të saktë për Islamin mund t’i qasemi vetëm duke iu referuar Kuranit, burimit të Islamit.
Kurani është shpallja e fundit e zbritur prej Zotit, si udhëzim për njerëzimin. Ndërsa Teurati dhe Ungjilli, dy libra që i kanë paraprirë Kuranit, ishin po ashtu shpallje prej Zotit, me kohë, ato u shtrembëruan dhe humbën vlerën e tyre si fjalë hyjnore e Zotit. Edhe pse ato mund të përmbajnë pjesë të fjalës origjinale të Zotit, pjesa më e madhe e tyre përbëhet prej fjalëve dhe ndërhyrjeve të njeriut. I vetmi libër i shpallur nga Zoti që ka mbijetuar plotësisht e pandryshuar, është Kurani. Ajo përmban vetëm atë që është shpallur nga Zoti. Zoti zbriti porosinë e Tij, ose me anë të Xhibrilit, ose përmes frymëzimit të drejtpërdrejt të Profetit Muhammed (savs). Kurani përbëhet vetëm prej asaj që iu shpall Profetit Muhammed (savs), që u zbrit në etapa, për një periudhë njëzet e tri vjeçare.
Në çdo kohë, shpallja menjëherë u shënua me shkrim ose u mbajt në mend, nga ana e shokëve të Profetit. Sot, të gjithë Muslimanët kudo që janë, lexojnë të njëjtin Kuran. Në asnjërën prej kopjeve të tij nuk mund të gjendet asnjë kundërthënie apo mospajtim. (Në ditët tona, Kurani i Uthmanit, Kalifit të tretë, është i ekspozuar në Muzeun në Topkapi, në Stamboll.) Dëshmi se Kurani është prej Zotit është mungesa e plotë e çfarëdo lloj mospajtimi në Kuran. Sipas Librit të Zotit:
A nuk përsiatin ata për Kuranin! Sikur ai të mos ishte prej Allahut, do të gjenin në të shumë kundërthënie. (Sure Nisa: 82)
Kurani është udhëzim për të udhëhequr njeriun në rrugën e drejtësisë. Është shpallje e Zotit, e zbritur për të nxjerrë njeriun nga errësira në dritë. Me anë të Kuranit, Zoti ynë, Krijuesi i njeriut dhe i të gjitha gjallesave, udhëzon robërit e Tij në rrugën e drejtë. Në një ajet, Zoti thotë:
O njerëz, ju ka ardhur këshillë (Kurani) nga Zoti juaj, shërim për zemrat tuaja, udhëzim dhe mëshirë për besimtarët. (Sure Junus: 57)
Ekzistenca e Zotit, njësia e Tij, argumentet e krijimit dhe jeta e jetës së përtejme, janë ato fakte themelore më të theksuara në Kuran. Në shumë vargje të Kuranit, Zoti e thërret njeriun të mendoj dhe të përsiat mbi urtësinë hyjnore në krijimin e Zotit dhe përkohshmërinë e jetës së kësaj bote dhe përhershmërinë e jetës së ahiretit. Po ashtu, në Kuran mund të gjejmë edhe historitë e jetëve të profetëve; sinqeritetin e tyre në  besim, përkushtimin e tyre ndaj çështjes së Zotit dhe vendosmërinë e tyre në përhapjen e porosisë hyjnore. Më në fund, një numër ajetesh në Kuran na ofrojnë gjithashtu vizionin për mënyrën se si duhet të sillemi në jetët tona të përditshme. 
Në këtë libër, bazuar në informacionin e ofruar nga Kurani, do të bëjmë fjalë për Zotin, vetitë e Tij, qëllimin e vërtetë të ekzistencës sonë në këtë botë, çfarë duhet të bëjmë për të vepruar në pajtim me të, realitetin e vdekjes dhe atë që na pret, jetën e përtejme.
Ju rekomandojmë që ta lexoni këtë libër me kujdes dhe të mendoni për mësimet e tij, pasi që ato kanë për qëllim që t’ju afrojnë më shumë me Krijuesin tuaj dhe t’ju tregojnë rrugën e lumturisë dhe shpëtimit të përjetshëm.

Nuk Ekziston Zot Tjetër Pos Tij

Nuk Ekziston Zot Tjetër Pos Tij

Esenca e Islamit është të jesh i vetëdijshëm për ekzistencën e Zotit dhe të kuptosh se nuk ekziston zot tjetër pos Tij. Të praktikosh Islamin domethënë të lejosh këtë të vërtetë të manifestohet në çdo aspekt të jetës së njeriut. Sipas Kuranit:
Zoti juaj është një Zot i vetëm! S’ka zot tjetër (të denjë për adhurim), përveç Atij, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit! (Sure Bekare:163)
Shumica e njerëzve mendojnë se materia, substanca që përbën bazën e gjithësisë, ka një ekzistencë absolute, dhe Zotin e konsiderojnë veçse si një ide abstrakte. (Zoti është me të vërtetë mbi atë që ata i përshkruajnë Atij) E vërteta është, megjithatë, se vetëm Zoti ekziston vërtetë dhe se gjithçka tjetër është vetëm krijim i Tij.
E tërë gjithësia dhe gjithçka në të u krijua nga Zoti. Para krijimit të gjithësisë, asgjë nuk ekzistonte, në kuptimin material. Gjithçka ishte mos-ekzistencë. Në momentin kur u krijua gjithësia, Al-Aual (i Pari) dhe Al-Akir (i Fundit) Zoti, i Cili është i pavarur nga koha dhe hapësira, krijoi kohën, materien dhe hapësirën. Kurani i referohet kësaj çështjeje si vijon:
Ai është Krijuesi i qiejve dhe i Tokës, pa shembull të mëparshëm dhe, kur vendos për diçka, vetëm thotë për të: “Bëhu!” - dhe ajo bëhet.(Sure Bekare: 117
Përkundër njohurisë së pranuar, Zoti nuk krijoi materien dhe pastaj ta linte atë të pavarur. Gjithçka që ndodh, madje edhe në këtë çast, është paracaktuar nga Zoti. Çdo pikë shiu, çdo fëmijë që çel sytë për herë të parë në këtë dynja, procesi i fotosintezës në bimë, të gjitha funksionet trupore të gjallesave, rrugëtimet e yjeve në galaktikat shumë të largëta, çdo farë që mbinë, apo çfarëdo ngjarje tjetër që mund të na vjen në mendje, apo për të cilën dështojnë të mendojmë, të gjitha janë paracaktuar nga Zoti. Është Zoti Ai i Cili krijon gjithçka. Çdo gjë ndodhë me urdhrin e Tij:
Allahu është Ai, që ka krijuar shtatë qiej dhe po aq toka. Urdhrat e Tij zbresin përmes tyre, që ju ta dini se Allahu është i Fuqishëm për çdo gjë dhe se Ai përfshin gjithçka në diturinë e Tij. (Sure Talak: 12)
A ka më të mirë se Ai, që zë fill krijimin dhe pastaj e ripërsërit atë, që ju jep mjete jetese nga qielli dhe toka?! Vallë, a ka krahas Allahut zot tjetër? Thuaj (o Muhammed): “Sillni provat tuaja, nëse ajo që thoni është e vërtetë!” (Sure Neml: 64)
Po t’i ishte lënë gjithësia vetvetes, ajo do të çrregullohej, shpartallohej dhe degjenerohej. Mirëpo, baraspesha e përkryer e të gjitha gjërave, nga qelizat e një organizmi të gjallë e deri te yjet në hapësirën e thellë kozmike, të gjitha zbulojnë ekzistencën e diçkaje që i kontrollon ato në çdo moment, me përsosmërinë e njëjtë si krijimi i tyre i parë. Në çdo skutë të gjithësisë, njeriu gjithmonë do të arrij të njoh një plan të përkryer:
Ai ka krijuar shtatë qiej njërin mbi tjetrin. Nuk mund të gjesh në krijimin e të Gjithëmëshirshmit kurrfarë ceni. Hidhe vështrimin: a sheh ndonjë plasaritje? Pastaj hidhe sërish vështrimin; sytë e tu do të kthehen të lodhur e të molisur. (Sure Mulk: 3-4
Mohimi se Zoti është Krijuesi dhe veshja e natyrës hyjnore asaj të cilën Ai krijoi, me gjithë dëshmitë e panumërta për të kundërtën, është po aq i pakuptim sa edhe pohimi se një rrokaqiell nuk është ndërtuar prej punëtorëve të ndërtimtarisë, por se është krijuar me anë të vullnetit të lirë të tullave apo me vendosjen e tyre mbi njëra tjetrën si rezultat i rastësisë së kulluar.
Rregulli i përkryer në gjithësi dhe krijimi suprem i gjallesave, na zbulon se ato duhet të jenë krijuar të gjitha nga një Krijues i vetëm. Po të kish zota tjerë, domethënë, të tjerë të aftë për të imponuar vullnetin e tyre, do të mbisundonin parregullsia dhe hutia. Se nuk ekziston zot tjetër pos Tij dhe se asnjë qenie tjetër në gjithësi nuk ka fuqi të ngjashme, rrëfehet në një ajet të Kuranit si vijon:
Allahu nuk ka zgjedhur për Vete ndonjë bir dhe përveç Atij s’ka asnjë zot tjetër, përndryshe çdo zot do të merrte atë që ka krijuar dhe do të ngriheshin njëri mbi tjetrin. Qoftë i lartësuar Ai nga shpifjet e tyre!  (Sure Muminun: 91)
Në lutjen më poshtë, Profeti Muhammedi (savs) thekson se nuk ekziston zot tjetër pos Allahut dhe një besimtar duhet t’i drejtohet Atij për çdo gjë:
Askush nuk meriton të adhurohet pos Allahut, i Madhërishmi, i Durueshmi. Askush nuk meriton të adhurohet pos Allahut, Zotit të Fronit Madhështor. Askush nuk meriton të adhurohet pos Allahut, Zotit të Qiejve dhe Zotit të Fronit të nderuar. (Buhariu)
Siç theksohet më lartë, nuk ekziston zot tjetër pos Tij. Ai nuk ka djalë. Ai është i lartësuar prej këtyre vetive njerëzore. Nga ajeti më poshtë kuptojmë qartë se ato fe që thonë se Zoti ka një “djalë” janë të larguara nga udha e drejtë. Njësia e Zotit theksohet më tej në Kuran si vijon:
Thuaj: “Ai është Allahu, Një dhe i Vetëm! Allahu është Absoluti, të Cilit i përgjërohet gjithçka në amshim. Ai as nuk lind, as nuk është i lindur. Dhe askush nuk është i barabartë (a i krahasueshëm) me Atë!” (Sure Ihlas: 1-4)
Disa njerëz mendojnë se Zoti gjendet në një vend të caktuar. Besimi se Zoti është lartë në qiell, në një vend të largët në gjithësi, besohet prej shumë njerëzve. E vërteta, megjithatë, është se Zoti është gjithkund dhe rrethon gjithçka. Ai është qenia e vetme e vërtetë dhe absolute, të Cilës të gjitha qeniet i nënshtrohen:
Allahu! Nuk ka zot tjetër (që meriton adhurimin) përveç Tij, të Gjallit, të Përjetshmit, Mbajtësit të gjithçkaje! Atë nuk e kaplon as dremitja, as gjumi! Atij i përket gjithçka që gjendet në qiej dhe gjithçka që gjendet në Tokë. Kush mund të ndërhyjë tek Ai për ndokënd pa lejen e Tij? Ai di çdo gjë që ka ndodhur përpara dhe çdo gjë që do të ndodhë pas njerëzve, kurse ata nuk mund të përvetësojnë asgjë nga Dituria e Tij, përveçse aq sa Ai dëshiron. Kursi-u43 i Tij shtrihet mbi qiejt dhe Tokën dhe Ai nuk e ka të rëndë t’i ruajë ato. Ai është i Larti, Madhështori! (Sure Bekare: 255)
Zoti mban gjithçka në zotërimin e Tij në çdo moment të caktuar. Nuk ekziston asnjë krijesë që Ai nuk e mban për balluke. Ai ka pushtet mbi të gjitha gjërat dhe është i lartësuar larg çfarëdo të mete apo paaftësie.

Zoti Ktrijoi Gjithçka Sipas Një Urdhri Të Caktuar

Zoti Ktrijoi Gjithçka Sipas Një Urdhri Të Caktuar

Vërtet, Ne çdo gjë e kemi krijuar me masë të paracaktuar. (Sure Kamer: 49))
Fati është pjesë e krijimit të përsosur të Zotit dhe të gjitha ngjarjet, të së kaluarës dhe të ardhmes, janë të njohura për Të si në një “moment të vetëm” të pafund.
Është Zoti Ai i Cili krijoi materien. Ajo që ne quajmë kohë është lëvizja e materies. Koha është një dimension i cili është i lidhur vetëm me njeriun. Vetëm njeriu ndien kalimin e kohës; një qenie njerëzore mund të njoh ekzistencën e tij vetëm duke qenë se ajo ekziston në kohë. Mirëpo, Zoti është i pavarur nga koha, sepse është Ai i Cili e krijoi atë. Me fjalë tjera, Zoti është i pavarur nga rrjedha e kohës; Zoti nuk ka nevojë të pres për të parë se çfarë do të ndodhë në të ardhmen. Zoti është vërtet i lartësuar mbi të gjitha këto të meta. Zoti është në dijeni për një ngjarje të ardhme (e ardhmja për ne) para se ajo të ndodhë, sepse Zoti, i Pari dhe i Fundit, është i pavarur nga koha dhe sepse Ai është Absoluti dhe i Përjetshmi. I pavarur nga koha, Zoti është i vetëdijshëm për një ngjarje e cila, nga këndvështrimi ynë, do të ndodhë me mija vite më vonë. Në të vërtetë, është Ai i Cili e nënshtroi, e përcaktoi dhe e krijoi atë. Kjo e vërtetë zbulohet në një ajet si vijon:
S’ka fatkeqësi që godet tokën dhe ju, që të mos jetë e shënuar në Libër (Leuhi Mahfûdh) më parë se ta krijojmë atë. Kjo për Allahun është vërtet e lehtë! (Sure Hadid: 22)

Zoti Sheh Dhe Di Gjithçka

Zoti Sheh Dhe Di Gjithçka

Njerëzit nuk mund ta shohin Zotin – përveç nëse Ai dëshiron këtë, që paraqet arsyen kryesore pse shumë njerëz shpesh pandehin në mënyrë të gabuar se Zoti nuk mund t’i shoh ata (vërtet, Zoti është i lartësuar prej asaj që ata i përshkruajnë Atij). Zoti sheh dhe ka dijeni për çdo gjë, deri në hollësinë më të vogël, siç tregohet në një ajet të Kuranit si vijon:
Shikimet njerëzore nuk mund ta arrijnë Atë, ndërkohë që Ai i arrin shikimet e të gjithëve. Ai është Bamirës i pakufi dhe di çdo gjë. (Sure En’am: 103)
Kudo që mund të jetë një person, padyshim se Zoti është me të. Mu në këtë moment, derisa ju lexoni këta rreshta, Zoti ju sheh dhe e di me saktësi atë që ju përshkon mendjen. Kudo që shkoni, apo çfarëdo që bëni, kështu është gjithmonë. Siç e shpjegon Kurani:
Në çfarëdo pune që të jesh, çfarëdo gjëje që të lexosh nga Kurani dhe çfarëdo pune që të bëni (o njerëz), Ne jemi dëshmitarë, kur ju të thelloheni në të. Zotit tënd nuk i fshihet asnjë grimë peshe, në Tokë e në qiell; as më pak nga ajo e as më shumë nuk mbetet pa u shënuar në Librin e qartë. . (Sure Junus: 61) 

Ai i krijoi qiejt dhe Tokën për gjashtë ditë, pastaj u ngrit mbi Fron. Ai e di se çfarë hyn në Tokë dhe çfarë del prej saj, çfarë zbret prej qiellit dhe çfarë ngjitet drejt tij. Ai është me ju kudo që të gjendeni; Ai sheh gjithçka që bëni. (Sure Hadid: 4)
 
Profeti Muhammed (savs) gjithashtu i përkujtoi besimtarët që ta kenë parasysh këtë kur tha: “Zoti është mbi Fron dhe asgjë që ju veproni nuk është e fshehtë për Zotin.”
I vetëdijshëm për këtë të vërtetë, një besimtar i nënshtrohet Zotit të tij, kërkon mbrojtjen e Tij dhe nuk i frikësohet askujt pos Tij. Urdhri i Zotit për Profetin Musa dhe Harunin, të cilët ngurruan që të shkojnë tek Faraoni për ta thirrur atë në Islam, është një mësim për të gjithë besimtarët:
(Allahu) tha: “Mos u frikësoni! Në të vërtetë, Unë jam me ju, dëgjoj dhe shoh.(Sure Ta Ha: 46)

Të Gjitha Qeniet I Nënshtrohen Zotit

Të Gjitha Qeniet I Nënshtrohen Zotit

Të gjitha qeniet në gjithësi, të gjalla apo të pajetë, janë nën urdhrin e Zotit. Ato mund të veprojnë vetëm nëse Ai dëshiron këtë. Ato mund t’i kryejnë vetëm ato punë të cilat Ai dëshiron. Për shembull, bletët, të cilat prodhojnë më shumë mjaltë se që ato kanë vërtetë nevojë, nuk do të mund të dinin kurrsesi se mjalti është i dobishëm për njerëzit; dhe as që mund të jenë të vetëdijshme për përbërjen e saktë kimike që e bën atë të dobishëm dhe të shijshëm. Në të vërtetë, përveç se nuk dinë se pse prodhojnë mjaltë me bollëk, as që mund të posedojnë zgjuarsinë për të ndërtuar hojet e rregullta gjashtëkëndëshe, secila prej të cilave është një mrekulli e projektimit dhe matematikës. Është Zoti, të Cilit i nënshtrohen të gjitha qeniet, që bën që bletët të përmbushin këto vepra. Fakti se bletët veprojnë në pajtim me urdhrin e Zotit përshkruhet në Kuran si vijon:
Zoti yt e frymëzoi bletën, (duke thënë): “Ndërto shtëpi në male dhe në drurë dhe në atë (kosheret) që kanë ngritur njerëzit! Ushqehu me gjithfarë lloje frutash dhe ec rrugës së Zotit tënd me përulje!” Nga barku i tyre del lëng ngjyrash të ndryshme, në të cilin ka ilaç e shërim për njerëzit. Vërtet që kjo është shenjë për ata që përsiatin. (Sure Nahl: 68-69)
Bindja e bletëve ndaj urdhrave të Zotit në mënyrën se si sillen ato nuk është një anomali. Zoti na jep këtë shembull për të na mundësuar që të kuptojmë se të gjitha qeniet, duke përfshirë edhe njeriun, veprojnë sipas Vullnetit të Tij. Kurani tregon se ky është një argument për ata të cilët mendojnë. Të gjitha qeniet i nënshtrohen plotësisht urdhrit të Tij:
Atij i përket gjithçka që gjendet në qiej dhe në Tokë. Gjithçka i përulet Atij. (Sure Rum: 26)
Disa religjione konsiderojnë që Shejtani është një qenie e ndarë dhe e pavarur prej Zotit. Disa sosh i veshin fuqi të veçantë Shejtanit. Megjithatë, të dyja këto mendime janë të pasakta. Shejtani, si edhe jobesimtarët të cilët e pasojnë atë, i nënshtrohen Vullnetit të Zotit. Zoti krijoi Shejtanin për ta vënë njeriun në sprovë dhe e pajisi atë me aftësinë dhe me autoritetin për të thirrur njerëzimin në mosbesim. Fjalët e Zotit drejtuar Shejtanit rrëfehen në Kuran:
Allahu tha: “Atëherë dil prej Xhenetit! Me të vërtetë,
i je i mallkuar dhe mallkimi Im do të jetë mbi ty deri në Ditën e Gjykimit”.
Ai tha: “O Zoti im, më jep afat deri në ditën kur do të ringjallen ata!”
Zoti tha: “Në të vërtetë, ty do të jepet afat deri në një ditë të caktuar (kur i fryhet Surit për herë të parë)”.
Zoti tha: “E vërteta është - dhe Unë them vetëm të vërtetën se, do ta mbush Xhehenemin me ty dhe me të gjithë ata që të pasojnë ty”! (Sure Sad: 77-85)
Sikurse edhe njeriu, Shejtani është po ashtu plotësisht nën kontrollin e Zotit dhe i nënshtrohet Vullnetit të Tij. Ai nuk është një qenie që posedon një vullnet të ndarë dhe të pavarur nga Zoti; ai as nuk mund të bjerë vendime të tilla dhe as nuk mund t’i zbatoj ato. Në sprovën e vënë për qeniet njerëzore në këtë jetë, ai është vetëm një qenie që pritet të dalloj të drejtët prej të pandershmëve.

Besimet E Gabueshme Për Zotin

Besimet E Gabueshme Për Zotin

Teurati dhe Ungjilli, shpalljet e mëhershme prej Zotit, kanë humbur vërtetësinë e tyre origjinale, pasi që fjalët dhe ndërhyrjet e njeriut janë përfshirë në to. Kjo është njëra prej arsyeve pse u zbrit Kurani. Se librat e shenjtë që paraprinë Kuranin u shtrembëruan nga ana e njeriut përshkruhet në Kuran si vijon:
Mjerë ata që me duart e tyre shkruajnë Librin, e pastaj thonë: “Kjo është prej Allahut” që për këtë të kenë ndonjë dobi të vogël (materiale). Mjerë ata për çfarë kanë shkruar me duart e tyre dhe mjerë ata për çfarë kanë fituar! (Sure Bekare: 79)

Me të vërtetë, një grup ithtarësh të Librit e shtrembërojnë Librin me gjuhët e tyre (ndërsa e lexojnë atë), që ju të mendoni se ai farë leximi është prej Librit (që ka zbritur Allahu), kurse në të vërtetë, nuk është prej Librit. Ata thonë: “Kjo që lexojmë është nga Allahu”, por ajo nuk është nga Allahu. Ata flasin gënjeshtra për Allahun, duke qenë të vetëdijshëm për këtë. (Sure Ali Imran: 78)
Shtrembërimi i Teuratit dhe Dhiatës së Re çoi në përhapjen e besimeve të rrejshme midis pasuesve të tyre. Këta libra të shenjtë përmbajnë besimet dhe idetë që rrjedhin nga jashtë besimit të vërtetë të Zotit. Kjo manifestohet në shtrembërimin e shpalljes së vërtetë dhe në përshkrimin e Zotit si një qenie me dobësi dhe të meta karakteristike për qeniet njerëzore. (Vërtetë, Zoti është i lartësuar nga ajo që ata i përshkruajnë Atij).
Në Teuratin e shtrembëruar, për shembull, është fabrikuar një tregim në të cilin Zoti përshkruhet si një qenie e cila u mposht në një garë të mundjes me Profetin Jakub (as). Në mënyrë të ngjashme, në një tjetër tregim, pohohet se pasi që ka krijuar botën për gjashtë ditë, Zoti u lodh dhe pushoj në ditën e shtatë. Mirëpo, pasi që Zoti është i lartësuar dhe mbi çdo të metë, nuk mund të lodhet dhe të ketë nevojë për pushim. Kjo në Kuran përshkruhet si vijon:
Ne i kemi krijuar qiejt, Tokën dhe çdo gjë që gjendet midis tyre për gjashtë ditë, pa ndierë lodhje aspak. (Sure Kaf: 38)

A nuk e shohin ata se Allahu, i Cili krijoi qiejt dhe Tokën pa u lodhur aspak në krijimin e tyre, është i Fuqishëm t’i ngjallë të vdekurit? Po, Ai është vërtet i Fuqishëm për çdo gjë. (Sure Ahkaf: 33)
Kjo zbulon se pasuesit e këtyre librave janë shmangur nga rruga e drejtë dhe nuk kanë pasur një kuptim të saktë për Zotin dhe vetitë e Tij.
Kurani, në anën tjetër, është nën mbrojtjen e Zotit dhe është libri i vetëm i shpallur nga Zoti që ka mbetur i pandryshuar. Kurani është libri i Islamit, fesë së vetme të vërtetë:
Sigurisht, Ne e kemi shpallur Kuranin dhe, sigurisht, Ne do ta ruajmë atë. (Sure Hixhr: 9

Kush kërkon tjetër fe përveç Islamit, nuk do t’i pranohet dhe ai në botën tjetër do të jetë i humbur. (Sure Ali Imran: 85)
Kurani iu referohet besimeve të gabueshme të përvetësuara nga të Krishterët dhe Çifutët, dhe e bën të ditur besimin e vërtetë. Për shembull, thënia e tyre: “Zoti ka djalë (Jezusin),” e cila është një prej parimeve të Krishterimit, thuhet të jetë thjesht një besim i paarsyeshëm dhe një gënjeshtër e thënë kundër Zotit:
Ata thonë: “Allahu ka bërë një fëmijë”. I Lavdishëm dhe i Lartësuar qoftë Ai! Përkundrazi, Atij i përket çdo gjë që gjendet në qiej e në Tokë dhe Atij i nënshtrohet gjithçka. Ai është Krijuesi i qiejve dhe i Tokës, pa shembull të mëparshëm dhe, kur vendos për diçka, vetëm thotë për të: “Bëhu!” - dhe ajo bëhet.(Sure Bekare: 116-117)
Disa vargje tjera lidhur me këtë çështje janë si vijon:
O ithtarët e Librit! Mos e kaloni kufirin në besimin tuaj dhe për Allahun thoni vetëm të vërtetën! Mesihu - Isai, i biri i Merjemes, është vetëm i Dërguar i Allahut dhe Fjala e Tij, të cilën ia ka dërguar Merjemes, si dhe shpirt (i krijuar) nga Ai. Pra, besojini Allahut dhe të dërguarve të Tij! Dhe mos thoni: “Tre zota”! Hiqni dorë, se është më mirë për ju! Allahu është vetëm një Zot - qoftë lavdëruar Ai! Ai është tepër i lartësuar për të pasur fëmijë. E Tij është gjithçka që gjendet në qiej dhe në Tokë. Allahu mjafton për rregullimin e gjithësisë. (Sure Nisa: 171)

Ai është Krijuesi i qiejve dhe i Tokës! E si mund të ketë Ai fëmijë, ndërkohë që nuk ka bashkëshorte?! Ai ka krijuar çdo gjë dhe është i Dijshëm për çdo gjë. (Sure En’am: 101)
Besimi i krishterë pohon se Zoti krijoi gjithësinë dhe pastaj e la atë të pavarur. Megjithatë, siç thamë më herët, Vullneti i Zotit sundon gjithësinë në çdo moment; ajo është vazhdimisht nën kontrollin e Tij. Asgjë nuk mund të ndodhë pa Vullnetin dhe jashtë kontrollit të Tij: 
A ka më të mirë se Ai, që zë fill krijimin dhe pastaj e ri-përsërit atë, që ju jep mjete jetese nga qielli dhe toka?! Vallë, a ka krahas Allahut zot tjetër? Thuaj (o Muhammed): “Sillni provat tuaja, nëse ajo që thoni është e vërtetë!” (Sure Neml, 64)

Me të vërtetë, Allahu mban ekuilibrin e qiejve dhe të Tokës, që të mos shkatërrohen. Kur ato nisin të shkatërrohen, askush nuk mund t’i mbrojë, pos Tij. Me të vërtetë, Ai është i Butë dhe Falës (i gjynaheve). (Sure Fatir, 41)
Për t’iu kundërvënë këtyre nocioneve të rrejshme dhe shumë të tjerave që nuk janë përmendur këtu, Zoti na i jap në Kuran vetitë e Tij të lartësuara. Kjo jo vetëm për t’iu dhënë përgjigje këtyre pohimeve të gabueshme, por po ashtu për t’i udhëzuar ata që janë fajtorë prej tyre në fenë e vërtetë të Zotit.
Çdokush duhet të pranoj se Zoti është Një dhe se asgjë dhe askush nuk mund të krahasohet me Të; ai është i lirë nga çdo e metë. Ai rrethon gjithçka, Ai ushtron sundimin e Tij mbi krijimin në çdo moment, Ai është afër njeriut, Ai ka fuqinë të bëj gjithçka, Ai është i Gjithëmëshirshmi, Ai është i Drejti, Ai është Sunduesi i Ditës së Gjykimit, Ai sheh dhe dëgjon gjithçka dhe është më i lartësuari për nga vetitë.

Besimi Në Zot I Lirë Nga Idhujtaria

Besimi Në Zot I Lirë Nga Idhujtaria

A e ke parë ti atë që epshin e vet e ka marrë për zot? A do t’i bëhesh mbrojtës atij? (Sure Furkan, 43)
“Shirk”, fjala që përdoret për idhujtari në Arabishte nënkupton “ortakëri/shoqërim.” Në Kuran, i referohet përshkrimit shok Zotit, apo mendimit se dikush apo diçka, që quhen idhuj apo zota të rrejshëm, meriton adhurim përkrah apo përveç Zotit. Ndonëse, idhujtaria nuk kufizohet me adhurimin e totemeve apo qenieve të pajetë. Pasi që është përgjegjësi e njeriut që t’i shërbej Krijuesit të tij dhe të përpiqet për të fituar vetëm kënaqësinë e Tij, ndjekja nga ana e tij e çfarëdo qëllimi tjetër është të adhuroj diçka tjetër pos Zotit. Për shembull, një person do të ishte fajtor për idhujtari nëse do të përpiqej për të fituar kënaqësinë e njerëzve në vend të Zotit. Po kështu, do të ishte përsëri përshkrim shok Zotit nëse qëllimi i jetës së njeriut do të ishte t’i kënaq tekat dhe dëshirat e veta më tepër se sa të fitojë kënaqësinë e Zotit. Shumë njerëz u përshkruajnë karakter hyjnor gjërave si të hollat, pozita, pasuria e kështu me radhë. 
Kurani i referohet idhujtarisë së shoqërisë Arabe, e cila veçoi një pjesë të të korrave dhe të bagëtisë së tyre për idhujt e tyre, si vijon:
Ata kanë caktuar për Allahun pjesë nga drithi dhe kafshët shtëpiake, të cilat i ka krijuar Ai dhe thonë sipas hamendjes së tyre: “Kjo është për Allahun, ndërsa kjo është për idhujt tanë”. Mirëpo ajo pjesë që është për idhujt e tyre, nuk arrin te Zoti, kurse ajo që ata e kanë caktuar për Allahun - ajo arrin te idhujt e tyre. Sa gjykim të shëmtuar bëjnë ata!(Sure En’am: 136)
Siç përmendet në ajetin e mësipërm, idhujtarët e ndajnë një pjesë të pasurisë së tyre për Zotin dhe një pjesë tjetër për idhujt e tyre. Kjo është karakteristikë e gabimit të idhujtarëve.
Ta duash një qenie më shumë se Zotin apo ta duash atë ashtu siç duhet njeriu ta duaj Zotin është përsëri një formë e idhujtarisë. Po ashtu, dikush i cili i frikësohet një qenie ashtu si duhet t’i frikësohet Zotit, e hyjnizon atë, pasi që pandeh se ajo qenie posedon një fuqi të veçantë dhe të pavarur nga Zoti.
Mirëpo, Muslimanët besojnë me vendosmëri se çdo gjë është krijuar prej Zotit, se të gjitha çështjet janë të rregulluara prej Tij, se gjërat nuk kanë ndonjë fuqi për të dhënë një rezultat në mënyrë të pavarur, se çdo ngjare është paracaktuar dhe krijuar nga ana e Zotit, se Zoti është poseduesi i vullnetit dhe vendimit përfundimtar. Ky është ai sistem besimi që Zoti na shpall në Kuran. Devijimi nga këto parime, duke besuar se çdo gjë ndodhë vetvetiu, si rezultat i rastësive, duke ia veshur fuqinë për të krijuar disa arsyeve tjera, janë të gjitha forma të përshkrimit të shokëve Zotit. Zoti nuk fal idhujtarinë:
Vërtet, Allahu nuk fal që të adhurohet dikush apo diçka tjetër veç Atij, por gjynahet e tjera më të vogla ia fal kujt të dojë. Kushdo që i bën shok Allahut (në adhurim), ai me të vërtetë, ka humbur dhe është larguar shumë prej udhës së drejtë.  (Sure Nisa: 116)
Kur i Dërguari i Zotit (savs) u pyet: “Cili është gjynahu më i madh në sytë e Zotit?”, ai ka thënë po ashtu: “T’i bësh rival Zotit edhe pse Ai i vetëm të ka krijuar.” (Buhariu)