Madhështia Dhe Fuqia E Pafund E Zotit
Zoti krijoi rregullin e gjithësisë në mënyrë madhështore për t’i lejuar njeriut që të kuptoj madhështinë e Tij. Një varg që i referohet këtij rregulli thotë: "...që ju ta dini se Allahu është i Fuqishëm për çdo gjë dhe se Ai përfshin gjithçka në diturinë e Tij..." (Sure Talak: 12). I përballur me madhështinë e detajeve të këtij rregulli, njeriu mahnitet, duke e pranuar urtësinë, dijeninë dhe fuqinë e pafund të Zotit.
Aq e gjerë është dijenia e Zotit sa që ajo që për ne është “e pafund” në sytë e Tij tashmë ka marr fund. Çdo ngjarje që ka ndodhur që nga krijimi i kohës, deri në thellësi të përjetshmërisë, u paracaktua dhe përfundoj në sytë e Zotit. (Shih Pafundësia dhe Realiteti i Fatit, nga Harun Jahja) Kjo përshkruhet në Kuran si vijon:
Ne çdo gjë e kemi krijuar me masë të paracaktuar. Ne urdhërojmë vetëm një herë dhe vullneti Ynë përmbushet sa çel e mbyll sytë. Ne tashmë i kemi shkatërruar të ngjashmit me ju (në mosbesim). Prandaj, a ka ndonjë që të marrë këshillë?! Çdo bëmë e tyre është shënuar në librat (e engjëjve që regjistrojnë veprat). Çdo gjë, e madhe a e vogël qoftë, është shënuar (në Leuhi Mahfudh). (Sure Kamer: 49-53)
Njeriu duhet të përpiqet të vlerësoj gjerësinë e dijenisë së Zotit dhe të reflektoj për të kuptuar madhështinë e Tij.
Me miliarda njerëz janë shfaqur në tokë që nga kohët që s’mbahen mend. Prandaj, Zoti krijoi me miliarda qifte të syve, me miliarda shenja të ndryshme të gishtërinjve, me miliarda inde të ndryshme të syve, me miliarda tipe të ndryshme njerëzish... Po të dëshironte Ai, Ai do të mund të krijonte po ashtu me miliarda më shumë. Siç thuhet në Kuran:"... Ai shton në krijim çfarë të dojë. Allahu, me të vërtetë, është i pushtetshëm për çdo gjë." (Sure Fatir: 1)
Zoti posedon gjithashtu fuqinë për të krijuar shumë gjëra tjera përtej imagjinatës sonë të kufizuar. Të gjitha thesaret që Zoti i ka dhuruar në këtë botë për robërit e Tij janë të përfshira në shikimin e Tij. Ai na zbret ne vetëm atë që Ai dëshiron, gjithçka me masë të caktuar:
Nuk ka asnjë send që të mos gjenden tek Ne thesaret e tij; por prej tij Ne japim me masë të caktuar. (Sure Hixhr: 21)
Kjo gjë, e manifestuar gjithandej në krijimin madhështor të Zotit, vlen si për atë që dimë ashtu edhe për atë që ne nuk dimë. Zoti tërheq vëmendjen për këtë në vargun:"... Ai krijon edhe gjëra që ju nuk i dini." (Sure Nahl: 8), Ai krijon shumë gjëra tjera për të cilat jemi plotësisht të pavetëdijshëm.
Zoti ka krijuar shumë bota dhe qenie të cilat ne nuk mund t’i shohim. Për të kuptuar më mirë mundësinë e ekzistencës së botëve tjera, ne duhet të marrim parasysh si vijon: një fotografi është dy-dimensionale – gjerësia dhe gjatësia. Mirëpo, bota në të cilën jetojmë ne është tre-dimensionale – gjerësia, gjatësia dhe thellësia – (koha mund të konsiderohet si dimensioni i 4-të). Tjerat tejkalojnë aftësinë tonë të të kuptuarit. Mirëpo, në sytë e Zotit, ekzistojnë edhe dimensione tjera. Engjëjt, për shembull, janë qenie që jetojnë në një dimension tjetër. Sipas Kuranit, engjëjt mund të na shohin dhe dëgjojnë në dimensionin dhe hapësirën në të cilën ata jetojnë. Veç kësaj, dy engjëjt, që rrinë në dy krahët tonë, secili, në çdo moment, regjistron çdo fjalë që ne flasim dhe çdo vepër që bëjmë. E megjithatë, ne nuk i shohim ata. Xhinët janë po ashtu qenie të një dimensioni tjetër, siç informohemi nga Kurani. Ata, sikur ne qeniet njerëzore, sprovohen po ashtu, gjatë gjithë jetës së tyre dhe në fund do të sillen për t’u gjykuar para Zotit. Megjithatë, ata posedojnë tipare krejtësisht të ndryshme nga njerëzit; ekzistenca e tyre varet nga një sistem i shkakut dhe pasojës krejtësisht i ndryshëm.
Këto janë të gjitha fakte që meritojnë vëmendje të kujdesshme në mënyrë që të fitojmë një kuptim më të mirë të krijimit të shkëlqyeshëm të Zotit. Është në fuqinë e Zotit të krijoj bota, qenie dhe rrethana të reja të panumërta. Veç kësaj, Ai është në gjendje të krijoi secilën prej tyre me një shkallë të pakufishëm të dallimit. Vërtet, në një natyrë të panjohur për ne, Zoti do të krijojë Parajsën dhe Ferrin. Përderisa sistemet që i lihen vetvetes në këtë botë anojnë kah plakja, degjenerohen dhe përfundimisht shuhen, në Parajsë, e pandikuar nga kalimi i kohës, asgjë s’do të shkatërrohet; “lumenj qumështi shija e të cilit nuk do të ndryshojë kurrë” është një shembull për të sqaruar këtë veçori të Parajsës. Trupi i njeriut gjithashtu nuk do të degjeneroj; dhe asgjë asnjëherë nuk do të vjetërsohet. Sipas Kuranit, çdokush në Parajsë do të jetë i një moshe të njëjtë, do të jetojnë së bashku përjetësisht, në gjendjen më të mirë, dhe pa u plakur apo pa humbur bukurinë e tyre. Zoti na informon po ashtu në Kuran se në të do të ketë burime që gëlojnë për ne prej të cilave të pimë. Ferri, në anën tjetër, do të jetë krejtësisht ndryshe, në të, Zoti do të krijojë vuajtje të paimagjinueshme. Askush nuk do të jetë në gjendje që ta përfytyroj dhimbjen që shkaktojnë vuajtjet e tilla derisa nuk i përjeton ato.
Zoti ka vënë një kufi mbi çdo gjë në këtë botë. Çdo gjë ka një ekzistencë të kufizuar. Duke qenë kështu, për të kuptuar “përjetësinë” dhe fuqinë e pafund të Zotit, ne duhet të përdorim mendjet tona dhe t’i krahasojmë këto ide me diçka që është e njohur. Ne mundemi të dimë vetëm deri në atë shkallë që na e lejon Zoti. Zoti, megjithatë, ka dijeni të pakufishme. Të marrim parasysh shembullin vijues, Zoti ka krijuar 7 ngjyra themelore. Është e pamundshme për ne të përfytyrojmë një ngjyrë tjetër. (Ky rast është e ngjashme me përshkrimin e ngjyrës së kuqe dikujt që ka lindur i verbër; asnjë përshkrim nuk do të ishte i përshtatshëm.) Mirëpo, Zoti është në gjendje të krijoj më shumë se këto ngjyra themelore. Ndonëse, veç nëse Ai ashtu dëshiron, ne kurrë nuk do të jemi në gjendje të kuptojmë atë që tejkalon atë që Ai ka dashur që ne të dimë.
Gjithçka që posa kemi përmendur i takon asaj njohurie që Zoti ka ndarë për ne në këtë botë. Por, një çështje meriton vëmendje të posaçme; pasi që pushteti dhe fuqia e Zotit është e pakufishme, gjithçka mund të ndodhë, dhe në çdo kohë, me vullnetin e Tij. I Dërguari i Zotit, Profeti Muhammed (savs) iu referua po ashtu fuqisë së amshueshme të Zotit kur tha: “Shtatë palë qiej dhe shtatë palë tokë nuk janë më shumë në Dorën e Zotit se sa një farë mustarde në dorën e ndonjërit prej jush.” Zoti shpjegon pafundësinë e dijenisë së Tij në Kuran si vijon:
Sikur të gjithë drurët, që gjenden në Tokë, të ishin pena e deti bojë shkrimi e t’i shtohen atij edhe shtatë dete të tjera, nuk do të shtereshin fjalët e Allahut. Pa dyshim, Allahu është i Plotfuqishmi dhe i Urti. (Sure Lukman: 27)
Shkurt, pa marr parasysh se sa shumë përpiqemi ta bëjmë këtë, ne kurrsesi nuk do të arrijmë të kuptojmë gjerësinë e dijenisë së Zotit, pasi që ajo është e pakufishme. Ne mund ta kuptojmë atë vetëm aq sa këtë na e lejon Zoti:
Allahu! Nuk ka zot tjetër (që meriton adhurimin) përveç Tij, të Gjallit, të Përjetshmit, Mbajtësit të gjithçkaje! Atë nuk e kaplon as dremitja, as gjumi! Atij i përket gjithçka që gjendet në qiej dhe gjithçka që gjendet në Tokë. Kush mund të ndërhyjë tek Ai për ndokënd pa lejen e Tij? Ai di çdo gjë që ka ndodhur përpara dhe çdo gjë që do të ndodhë pas njerëzve, kurse ata nuk mund të përvetësojnë asgjë nga Dituria e Tij, përveçse aq sa Ai dëshiron. Kursi-u i Tij shtrihet mbi qiejt dhe Tokën dhe Ai nuk e ka të rëndë t’i ruajë ato. Ai është i Larti, Madhështori! (Sure Bekare: 255)
Hiç yorum yok:
Yorum Gönder