Dita e Gjykimit
Ata pyesin: “Kur do të jetë Dita e Gjykimit?” (Sure Dharijat: 12)
Është e sigurt ajo që ju premtohet dhe çdo shpërblim e dënim do të ndodhë! (Sure Dharijat: 5-6)
Zoti e mban njeriun përgjegjës për veprat e tij. Çdo person, i cili është sprovuar në këtë botë, do të thirret për të dhënë llogari për veprat e tij në Ditën e Gjykimit. Atë ditë, ai do të dëshmojë se nuk është mbajtur e fshehtë prej Zotit dhe do të zbulohet çdo vepër e mirë apo e keqe:
Për Ditën, kur ata do të paraqiten të zbuluar, kur asgjë e tyre nuk do të jetë e fshehtë për Allahun. Kujt i përket pushteti i asaj dite? Allahut, të Vetmit, Ngadhënjimtarit! Atë ditë, çdo njeri do të shpërblehet sipas asaj që ka punuar; atë ditë nuk ka padrejtësi! Allahu, me të vërtetë, është i shpejtë në llogari. (Sure Gafir: 16-17)
Njeriu nuk e merr gjithherë ndëshkimin që e meriton në këtë botë. Megjithëse Zoti ju jap disa syresh kohë, Ai na informon se do ta paguajnë shtrenjtë për të gjitha veprat e këqija në ahiret. Duke qenë kështu, nuk është gjë e mençur që ata të cilët bëjnë vepra të paligjshme të pandehin se i janë shmangur ndëshkimit, vetëm për arsye se i janë shmangur ligjit dhe kështu nuk u ndëshkuan në këtë botë. Në Ditën e Gjykimit, ata do të shohin se njeriu nuk mund të mbaj asgjë të fshehtë prej Zotit. Me emrin e Tij “el Hafiz” (Ai që ruan çdo gjë në hollësi), Zoti di për secilën vepër të njeriut dhe i urdhëron engjëjt e Tij të mbajnë shënim. Zoti na bën me dije për këtë fakt në Kuran:
Dy engjëj i rrinë atij nga e djathta dhe e majta, dhe, për çdo fjalë që ai thotë, ka pranë vetes një mbikëqyrës të gatshëm (për ta shënuar atë). (Sure Kaf: 17-18)
Zoti, i Cili ka dijeni për çdo gjë deri në hollësinë më të vogël, i Cili është dëshmitar i çdo momenti të jetës së njeriut, qoftë nëse ai e shqipton me zë një fjalë apo e mban të fshehtë në zemrën e tij, do ta gjykojë njeriun me drejtësi në Ditën e dhënies së llogarisë, kur do të bëhet plotësisht i njohur atributi i drejtësisë së Zotit:
Dhe në Ditën e Kiametit, Ne do të vendosim peshore të sakta e askush nuk do të pësojë asnjë padrejtësi. Ne do të sjellim (për gjykim) çdo vepër, qoftë kjo edhe sa pesha e një kokrre sinapi. Ne jemi të mjaftueshëm për llogaritje. (Sure Enbija: 47)
Zoti, i Drejti, është pafundësisht i mëshirshëm dhe i butë ndaj robërve të Tij. Zoti premton se ai i cili bën një vepër të mirë do të pranojë dhjetë sikur ajo, ndërsa ai i cili bën një vepër të keqe do të shpërblehet vetëm me atë që meriton:
Kush bën një vepër të mirë, do të shpërblehet dhjetëfish. Kush bën një vepër të keqe, do të dënohet vetëm sipas gjynahut që ka bërë dhe nuk do t’i bëhet kurrfarë padrejtësie. (Sure En’am: 160)
Në kohën e dhënies së llogarisë, njerëzit do të çohen ose në Parajsë ose në Ferr, varësisht nga ana nga e cila kanë marr librat e tyre:
Ai, të cilit do t’i jepet libri i tij në dorën e djathtë, do ta ketë të lehtë llogarinë dhe do të kthehet i gëzuar te të afërmit e tij. Kurse ai, të cilit do t’i jepet libri i tij pas shpinës, do të lutet për të vdekur dhe në zjarr do të digjet, sepse ai jetonte i shkujdesur në familjen e tij, duke menduar se kurrë nuk do të kthehej (për të dhënë llogari). Po, Zoti i tij, sigurisht që i ka ndjekur të gjitha punët e tij!(Sure Inshikak: 7-15)
Hiç yorum yok:
Yorum Gönder