5 Temmuz 2016 Salı

Vlerësimi I Allahut Me Vlerën E Tij Të Vërtetë

Vlerësimi I Allahut Me Vlerën E Tij Të Vërtetë

Ata nuk e çmojnë Allahun me vlerën e Tij të vërtetë. Vërtet, Allahu është i Fortë dhe i Plotfuqishëm. (Sure Haxh: 74)
Zoti manifeston fuqinë dhe dijeninë e Tij të pafund në çdo gjë. Përsosmëria në çdo pjesë të trupit të njeriut, dijenia në krijimin e një lule, bukuria e ngjyrës dhe aroma e saj, madhështia e qiejve dhe e gjithësisë, rregulli i orbitave të planetëve, peshqit në thellësitë e oqeaneve dhe krijimi i ndërlikuar në çdo gjë që ju shihni rreth jush, janë të gjitha manifestime të qarta të fuqisë dhe pafundësisë së Zotit. Disa jobesimtar, përkundër perceptimit të ekzistencës së Zotit dhe të fuqisë së pafund të Tij, e mohojnë Atë nga mendjemadhësia. Ata nuk e pranojnë madhështinë e vërtetë të Zotit. Pasi që atyre u mungon urtësia, ata dështojnë të shohin shenjat e qarta të ekzistencës së Zotit dhe të madhështisë së Tij të manifestuara në të gjitha qeniet. Pavëmendja e këtyre njerëzve shprehet në një ajet si vijon:
Eh, sa shumë shenja ka në qiej dhe në Tokë, pranë të cilave ata kalojnë pa ua vënë veshin! (Sure Jusuf: 105)
Vetëm ata të cilët mendojnë mbi qëllimin e krijimit përreth tyre, të cilët kanë aftësi të qartë të dallimit, të cilët përdorin mendjet dhe ndërgjegjet e tyre, mund ta njohin të vërtetën që këto shenja lënë të kuptohet. Ata janë ata të cilët besojnë. Një nga vetitë kryesore të një besimtari është aftësia e tij për të qenë mendjemprehtë. Besimtarët, të cilët janë të aftë të shfrytëzojnë mendjet e tyre, të liruara nga arsyet e rrejshme, arrijnë të njohin mjeshtërinë dhe fuqinë e Zotit përmes krijimit të Tij dhe në këtë mënyrë arrijnë të kenë vlerësim të drejtë të madhështisë dhe lavdisë së Tij. Një ajet i Kuranit rrëfen se ata të cilët janë të aftë të mendojnë qartë shohin shenjat e Zotit ngado që të kthehen:
Me të vërtetë, në krijimin e qiejve dhe të Tokës, në këmbimin e natës me ditën, në anijet që lundrojnë nëpër det për t’u sjellë dobi njerëzve, në ujin që Allahu zbret prej qiellit, duke ngjallur përmes tij tokën e vdekur dhe duke shpërndarë gjithfarë gjallesash, në lëvizjen e erërave dhe në retë që qëndrojnë midis qiellit e Tokës, pra, në të gjitha këto, sigurisht që ka shenja për njerëzit me intelekt. (Sure Bekare: 164)
Një person që është i prirur kështu njeh shenjat e ekzistencës së Zotit ngado që shikon, duke e kuptuar drejt fuqinë e Tij të vërtetë. Besimtarët vazhdimisht përkujtojnë Zotin në mendjet e tyre, ndërsa shumica e njerëzve jetojnë jetët e tyre pa menduar për këto fakte. Në një ajet të Kuranit, sjellja ideale e një Muslimani përshkruhet si vijon:
...për ata që e përmendin Allahun duke qëndruar në këmbë, ndenjur ose shtrirë dhe që meditojnë për krijimin e qiejve dhe të Tokës (duke thënë:) “O Zoti Ynë! Ti nuk i ke krijuar kot këto - lartësuar qofsh (nga çdo e metë)! Prandaj na ruaj nga ndëshkimi i zjarrit. (Sure Ali Imran: 191)

Hiç yorum yok:

Yorum Gönder