5 Temmuz 2016 Salı

Natyra E Përkohshme E Jetës Së Kësaj Bote

Natyra E Përkohshme E Jetës Së Kësaj Bote

Jeta e kësaj bote është sprovë për njerëzimin. Edhe pse Zoti ka krijuar joshje të panumërta për njeriun në këtë botë, Ai po ashtu e ka paralajmëruar atë që të mos merret së tepërmi me to e të harroj Zotin dhe fenë e Tij. Në një ajet të Kuranit, Zoti shpall se zbukurimi i kësaj bote është i përkohshëm dhe se kënaqësia e vërtetë është Parajsa, si shpërblim për kënaqësinë e Zotit:
Çdo gjë që gjendet në Tokë, Ne e kemi bërë stoli për të, për të provuar se kush prej tyre punon më mirë. (Sure Kehf: 7)
Ta dini, se jeta në këtë botë, nuk është tjetër veçse lojë, dëfrim e zbukurim, si dhe mburrje ndërmjet jush e rivalitet për më shumë pasuri dhe fëmijë! Ajo i shëmbëllen bimës, e cila pas shiut rritet dhe i gëzon bujqit, por më vonë zverdhet, thahet dhe mbetet pa vlerë. Në botën tjetër ju presin vuajtje të mëdha ose falja e Allahut dhe kënaqësia e Tij; jeta në këtë botë është vetëm kënaqësi e rreme. (Sure Hadid: 20)
Përderisa besimtari i gëzon po ashtu ato mirësi që përshkruhen si kënaqësi të kësaj bote, për dallim nga jobesimtari, ai nuk i konsideron ato si qëllimin e jetës së tij. Ai mund të dëshiroj t’i posedoj ato, por vetëm me qëllim që t’i falënderohet Zotit dhe t’i përdor ato për të fituar kënaqësinë e Zotit. Ai nuk i ndjekë ato për shkak të lakmisë. Sepse, ai është i vetëdijshëm se ajo që është e kësaj bote është jetëshkurtër sikurse vet jeta e tij. Ai është i vetëdijshëm se, pas vdekjes së tij, këto gjëra nuk do t’i sjellin dobi atij. Veç kësaj, ai e di se nëse ndjekë vetëm gjërat e dynjasë, me çmimin e qëllimeve më fisnike, ai për to sakrifikon ahiretin e tij. Në një ajet të Kuranit, kjo e vërtetë e rëndësishme rrëfehet si vijon:
Burrave u është hijeshuar dashuria për gjërat e dëshiruara: për gratë, fëmijët, arin dhe argjendin e grumbulluar, kuajt e bukur, bagëtitë dhe arat e lëruara. Këto janë kënaqësitë e kësaj jete, por shumë më i mirë është kthimi tek Allahu. (Sure Ali Imran: 14)
Joshja e gjërave të kësaj bote është një faktor thelbësor në sprovën që i është vënë njeriut në këtë botë. Shejtani shfrytëzon pandërprerë joshjet në përpjekjet e tij për të mashtruar njeriun. Megjithatë, besimtarët janë ata të cilët, edhe pse mund të joshen nga tundime të tilla, janë të vetëdijshëm për vlerën e tyre të vërtetë. Duke e ditur se këto janë mirësi të përkohshme të kësaj bote dhe se ata me anë të tyre vihen në sprovë, joshjet mashtruese të këtyre gjërave nuk i mashtrojnë ata. Për këtë arsye, ata nuk mashtrohen nga Shejtani dhe janë në gjendje të shpëtojnë vetveten nga vuajtja e përjetshme. Në Kuran, Zoti paralajmëron njerëzimin si vijon:
O njerëz! Pa dyshim, premtimi i Allahut (Dita e Gjykimit) është i vërtetë, prandaj të mos ju mashtrojë kurrsesi jeta e kësaj bote dhe të mos ju mashtrojë djalli për Allahun. (Sure Fatir: 5)
Në anën tjetër, ata të cilët nuk kanë besim dhe kështu janë të privuar nga urtësia, ndiejnë një prirje të brendshme ndaj kësaj bote. Nën ndikimin e Shejtanit, ata e bëjnë arritjen e gjërave të përkohshme të kësaj bote qëllimin përfundimtar të jetëve të tyre. Gjendja e këtyre njerëzve përshkruhet si vijon:
Por ju doni këtë jetë (kalimtare) e për jetën tjetër nuk kujtoheni! (Sure Kijame: 20-21)

Hiç yorum yok:

Yorum Gönder