Nuk Ekziston Zot Tjetër Pos Tij
Esenca e Islamit është të jesh i vetëdijshëm për ekzistencën e Zotit dhe të kuptosh se nuk ekziston zot tjetër pos Tij. Të praktikosh Islamin domethënë të lejosh këtë të vërtetë të manifestohet në çdo aspekt të jetës së njeriut. Sipas Kuranit:
Zoti juaj është një Zot i vetëm! S’ka zot tjetër (të denjë për adhurim), përveç Atij, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit! (Sure Bekare:163)
Shumica e njerëzve mendojnë se materia, substanca që përbën bazën e gjithësisë, ka një ekzistencë absolute, dhe Zotin e konsiderojnë veçse si një ide abstrakte. (Zoti është me të vërtetë mbi atë që ata i përshkruajnë Atij) E vërteta është, megjithatë, se vetëm Zoti ekziston vërtetë dhe se gjithçka tjetër është vetëm krijim i Tij.
E tërë gjithësia dhe gjithçka në të u krijua nga Zoti. Para krijimit të gjithësisë, asgjë nuk ekzistonte, në kuptimin material. Gjithçka ishte mos-ekzistencë. Në momentin kur u krijua gjithësia, Al-Aual (i Pari) dhe Al-Akir (i Fundit) Zoti, i Cili është i pavarur nga koha dhe hapësira, krijoi kohën, materien dhe hapësirën. Kurani i referohet kësaj çështjeje si vijon:
Ai është Krijuesi i qiejve dhe i Tokës, pa shembull të mëparshëm dhe, kur vendos për diçka, vetëm thotë për të: “Bëhu!” - dhe ajo bëhet.(Sure Bekare: 117
Përkundër njohurisë së pranuar, Zoti nuk krijoi materien dhe pastaj ta linte atë të pavarur. Gjithçka që ndodh, madje edhe në këtë çast, është paracaktuar nga Zoti. Çdo pikë shiu, çdo fëmijë që çel sytë për herë të parë në këtë dynja, procesi i fotosintezës në bimë, të gjitha funksionet trupore të gjallesave, rrugëtimet e yjeve në galaktikat shumë të largëta, çdo farë që mbinë, apo çfarëdo ngjarje tjetër që mund të na vjen në mendje, apo për të cilën dështojnë të mendojmë, të gjitha janë paracaktuar nga Zoti. Është Zoti Ai i Cili krijon gjithçka. Çdo gjë ndodhë me urdhrin e Tij:
Allahu është Ai, që ka krijuar shtatë qiej dhe po aq toka. Urdhrat e Tij zbresin përmes tyre, që ju ta dini se Allahu është i Fuqishëm për çdo gjë dhe se Ai përfshin gjithçka në diturinë e Tij. (Sure Talak: 12)
A ka më të mirë se Ai, që zë fill krijimin dhe pastaj e ripërsërit atë, që ju jep mjete jetese nga qielli dhe toka?! Vallë, a ka krahas Allahut zot tjetër? Thuaj (o Muhammed): “Sillni provat tuaja, nëse ajo që thoni është e vërtetë!” (Sure Neml: 64)
Po t’i ishte lënë gjithësia vetvetes, ajo do të çrregullohej, shpartallohej dhe degjenerohej. Mirëpo, baraspesha e përkryer e të gjitha gjërave, nga qelizat e një organizmi të gjallë e deri te yjet në hapësirën e thellë kozmike, të gjitha zbulojnë ekzistencën e diçkaje që i kontrollon ato në çdo moment, me përsosmërinë e njëjtë si krijimi i tyre i parë. Në çdo skutë të gjithësisë, njeriu gjithmonë do të arrij të njoh një plan të përkryer:
Ai ka krijuar shtatë qiej njërin mbi tjetrin. Nuk mund të gjesh në krijimin e të Gjithëmëshirshmit kurrfarë ceni. Hidhe vështrimin: a sheh ndonjë plasaritje? Pastaj hidhe sërish vështrimin; sytë e tu do të kthehen të lodhur e të molisur. (Sure Mulk: 3-4
Mohimi se Zoti është Krijuesi dhe veshja e natyrës hyjnore asaj të cilën Ai krijoi, me gjithë dëshmitë e panumërta për të kundërtën, është po aq i pakuptim sa edhe pohimi se një rrokaqiell nuk është ndërtuar prej punëtorëve të ndërtimtarisë, por se është krijuar me anë të vullnetit të lirë të tullave apo me vendosjen e tyre mbi njëra tjetrën si rezultat i rastësisë së kulluar.
Rregulli i përkryer në gjithësi dhe krijimi suprem i gjallesave, na zbulon se ato duhet të jenë krijuar të gjitha nga një Krijues i vetëm. Po të kish zota tjerë, domethënë, të tjerë të aftë për të imponuar vullnetin e tyre, do të mbisundonin parregullsia dhe hutia. Se nuk ekziston zot tjetër pos Tij dhe se asnjë qenie tjetër në gjithësi nuk ka fuqi të ngjashme, rrëfehet në një ajet të Kuranit si vijon:
Allahu nuk ka zgjedhur për Vete ndonjë bir dhe përveç Atij s’ka asnjë zot tjetër, përndryshe çdo zot do të merrte atë që ka krijuar dhe do të ngriheshin njëri mbi tjetrin. Qoftë i lartësuar Ai nga shpifjet e tyre! (Sure Muminun: 91)
Në lutjen më poshtë, Profeti Muhammedi (savs) thekson se nuk ekziston zot tjetër pos Allahut dhe një besimtar duhet t’i drejtohet Atij për çdo gjë:
Askush nuk meriton të adhurohet pos Allahut, i Madhërishmi, i Durueshmi. Askush nuk meriton të adhurohet pos Allahut, Zotit të Fronit Madhështor. Askush nuk meriton të adhurohet pos Allahut, Zotit të Qiejve dhe Zotit të Fronit të nderuar. (Buhariu)
Siç theksohet më lartë, nuk ekziston zot tjetër pos Tij. Ai nuk ka djalë. Ai është i lartësuar prej këtyre vetive njerëzore. Nga ajeti më poshtë kuptojmë qartë se ato fe që thonë se Zoti ka një “djalë” janë të larguara nga udha e drejtë. Njësia e Zotit theksohet më tej në Kuran si vijon:
Thuaj: “Ai është Allahu, Një dhe i Vetëm! Allahu është Absoluti, të Cilit i përgjërohet gjithçka në amshim. Ai as nuk lind, as nuk është i lindur. Dhe askush nuk është i barabartë (a i krahasueshëm) me Atë!” (Sure Ihlas: 1-4)
Disa njerëz mendojnë se Zoti gjendet në një vend të caktuar. Besimi se Zoti është lartë në qiell, në një vend të largët në gjithësi, besohet prej shumë njerëzve. E vërteta, megjithatë, është se Zoti është gjithkund dhe rrethon gjithçka. Ai është qenia e vetme e vërtetë dhe absolute, të Cilës të gjitha qeniet i nënshtrohen:
Allahu! Nuk ka zot tjetër (që meriton adhurimin) përveç Tij, të Gjallit, të Përjetshmit, Mbajtësit të gjithçkaje! Atë nuk e kaplon as dremitja, as gjumi! Atij i përket gjithçka që gjendet në qiej dhe gjithçka që gjendet në Tokë. Kush mund të ndërhyjë tek Ai për ndokënd pa lejen e Tij? Ai di çdo gjë që ka ndodhur përpara dhe çdo gjë që do të ndodhë pas njerëzve, kurse ata nuk mund të përvetësojnë asgjë nga Dituria e Tij, përveçse aq sa Ai dëshiron. Kursi-u43 i Tij shtrihet mbi qiejt dhe Tokën dhe Ai nuk e ka të rëndë t’i ruajë ato. Ai është i Larti, Madhështori! (Sure Bekare: 255)
Zoti mban gjithçka në zotërimin e Tij në çdo moment të caktuar. Nuk ekziston asnjë krijesë që Ai nuk e mban për balluke. Ai ka pushtet mbi të gjitha gjërat dhe është i lartësuar larg çfarëdo të mete apo paaftësie.
Hiç yorum yok:
Yorum Gönder