5 Temmuz 2016 Salı

Njeriu Është Duke U Sprovuar

Njeriu Është Duke U Sprovuar

Zoti ka krijuar çdo gjë në pajtim me urtësinë e Tij hyjnore dhe shumë gjëra i ka vënë në shërbim të njeriut. Pa dyshim, shumë gjëra në gjithësi, nga sistemi diellor e deri në përmasën e oksigjenit në atmosferë, prej kafshëve që na sigurojnë mishin dhe qumështin e deri te uji, janë krijuar për të shërbyer njeriun. Nëse ky fakt pranohet si i qartë, rezulton se është e palogjikshme të mendohet se kjo jetë nuk ka qëllim. Padyshim se kjo jetë ka një qëllim, që Zoti e shpjegon si vijon:
… Xhindet dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. (Sure Dharijat: 56)
Vetëm një numër i vogël i njerëzve e kuptojnë këtë qëllim të krijimit dhe jetojnë jetët e tyre në pajtim me të. Zoti na ka dhuruar jetën në tokë për të na provuar nëse do të jetojmë në pajtim me këtë qëllim. Ata të cilët i shërbejnë Zotit sinqerisht, dhe ata të cilët ngrenë krye kundër Tij, do të dallohen nga njëri tjetri në këtë dynja. Të gjitha ato mirësi (trupi, shqisat, prona e tij...) që i janë dhënë njeriut në këtë dynja, janë një mjet përmes të cilit Zoti e sprovon atë. Në një ajet të Kuranit, Zoti shpall si vijon:
Ne e krijuam njeriun nga një pikë farë e përzier, për ta sprovuar dhe e bëmë që të dëgjojë dhe të shohë.  (Sure Insan: 2)
Detyra e njeriut në këtë botë është të ketë besim në Zotin dhe në ahiret, të sillet në pajtim me urdhrat e Kuranit, të respektoj kufijtë e përcaktuar nga Zoti dhe të përpiqet të fitoj kënaqësinë e Tij. Sprovat e vazhdueshme të kësaj jete me kalimin e kohës zbulojnë ata njerëz të cilët janë të përkushtuar për t’i përmbushur këto detyra. Pasi që Zoti kërkon një besim të drejtë dhe të sinqertë, i cili është besim i tillë që nuk mund të arrihet vetëm duke thënë: “Unë besoj” – njeriu duhet të demonstroj se ka besim të vërtetë në Zotin dhe në fenë e Tij, dhe se ai nuk do të shmanget nga rruga e drejtë pavarësisht nga dhelpëritë e Shejtanit. Po ashtu, ai duhet të demonstroj se nuk do t’i pasojë jobesimtarët dhe as që do të parapëlqej dëshirat e vetes së tij mbi kënaqësinë e Zotit. Reagimi i tij ndaj ngjarjeve në jetën e tij do t’i zbulojë të gjitha këto cilësi. Zoti do të krijojë disa vështirësi, gjatë të cilave njeriu duhet të tregoj durim, për të shfaqur shkallën e devotshmërisë së tij ndaj besimit në Zotin. Ky fakt në Kuran shpallet si vijon:  
Vërtet mendojnë njerëzit, se do të lihen të thonë “Ne besojmë”, pa u vënë në provë?! (Sure Ankebut: 2)
Në një ajet tjetër, Zoti thotë se ata të cilën thonë: “Ne besojmë” do të sprovohen:
A mendoni se do të hyni në Xhenet, pa i provuar Allahu ata që kanë luftuar prej jush dhe pa i provuar ata që kanë duruar? (Sure Ali Imran: 142)
Duke qenë kështu, zhgënjimi përballë vështirësive nuk do të ishte përgjigja e drejtë që mund t’i lejohet vetvetes. Vështirësitë e tilla mund të jenë sprova të rënda apo vetëm probleme të vogla të përditshme. Një besimtar duhet të konsideroj çdo rrethanë të tillë si pjesë të sprovës së përcaktuar për të, të ketë besim në Zotin dhe të sillet në pajtim me kënaqësinë e Tij. Në një ajet të Kuranit, këto vështirësi me të cilat përballen besimtarët rrëfehen si vijon:
Sigurisht që Ne do t’ju provojmë me frikë dhe uri, me dëmtim të pasurisë, të njerëzve dhe të të lashtave! Prandaj, përgëzoji të duruarit. (Sure Bekare: 155)
Profeti Muhammed (savs) i ka paralajmëruar po ashtu besimtarët për këtë, duke thënë: “Kushdo që e ka pranuar atë (sprovën e Zotit), do të shijojë Kënaqësinë e Zotit dhe kushdo që është i pakënaqur me të, do të shkaktojë Pakënaqësinë e Zotit.” (Tirmidhiu)
Jo vetëm që vështirësitë, por edhe mirësitë në këtë dynja do të shërbejnë për të sprovuar njeriun. Zoti e sprovon njeriun me çdo të mirë që Ai ia jap njeriut, për të parë se a do të jetë apo jo falënderues. Po ashtu, Zoti krijon rrethana të shumta përmes të cilave njeriu përvetëson një qëndrim të caktuar. Gjatë këtyre sprovave, njeriu mund të formoj një vendim, ose në pajtim me kënaqësinë e Zotit, ose në pajtim me veten e tij. Nëse ai e pranon një ngjarje të tillë si sprovë prej Zotit dhe e përshtatë sjelljen e tij në përputhje me të për të fituar kënaqësinë e Allahut, atëherë ai arrin sukses në sprovën e tij. Mirëpo, nëse vendimi i tij është në pajtim me urdhrat e shpirtit të tij, do të jetë një gjynah, për të cilin do të pendohet shumë në ahiret, si edhe burim ankthi në këtë botë, pasi që kjo do ta mundojë ndërgjegjen e tij.
Vërtet, Zoti krijoi gjithçka që ndodhë në këtë botë si sprovë. Ato ngjarje që konsiderohen të jenë “rastësi” e kulluar apo “fat i keq” nga të padijshmit, janë në të vërtetë rrethana të krijuara në pajtim me urtësitë më të mëdha të një plani hyjnor. Lidhur me këtë, Zoti jap shembullin e Hebrenjve të cilët thyen urdhëresën e Sabatit, të joshur nga bollëku i peshqve:
Pyeti ata për qytetin që gjendej në bregdet dhe për çfarë i gjeti banorët e tij kur thyen urdhëresën e Sabatit (së shtunës)! Atë ditë u vinin peshqit me shumicë, ndërsa ditëve tjera që nuk i kremtonin, nuk u vinin. Kështu, Ne i vumë në provë, sepse bënin punë të mbrapshta. (Sure A’raf: 163)
Hebrenjtë mund të kenë menduar se peshku ju ofrua një të Shtunë “rastësisht,” por, kjo ndodhi ishte paracaktuar si një sprovë për ta prej Zotit. Siç e bën të qartë ky shembull, ekziston një qëllim hyjnor dhe një sprovë në çdo ndodhi në jetë. Gjithçka që i ndodhë një besimtari është përcaktuar në mënyrë që ai të ketë këtë mendim në mendje dhe që të përpiqet të ketë sukses në sprovën e vet dhe të përvetësoj një formë të sjelljes që është në pajtim me pëlqimin e Allahut.

Hiç yorum yok:

Yorum Gönder