5 Temmuz 2016 Salı

Religjioni Është Në Pajtim Me Prirjen Natyrore Të Njerëzimit

Religjioni Është Në Pajtim Me Prirjen Natyrore Të Njerëzimit

Drejtohu me përkushtim në fenë e pastër monoteiste, natyrën fillestare, në të cilën Allahu i ka krijuar njerëzit...  (Sure Rum: 30)
Padyshim, është Zoti i Cili e njeh më së miri natyrën e njeriut, të cilin Ai Vet e ka krijuar. Duke qenë kështu, Ai është Ai i Cili më së miri i njeh nevojat e njerëzve dhe mënyrën se si t’i plotësoj ato. Nga mënyra se si të mbaj mirëqenien fizike të njeriut, e deri tek mënyra se si të mbetet shpirtërisht i fortë apo se si të arrij një jetë të kënaqshme shoqërore, të gjitha janë mirë të njohura për Zotin. Për shembull, një qenie njerëzore, për nga natyra, e tërheqin të gjitha format e mëshirës, dashurisë dhe sjelljes së drejtë. Ai pret që ndaj tij të sillen me mëshirë dhe dhembshuri. Ai e urren dhe i shmanget padrejtësisë, imoralitetit dhe të gjitha formave të ligësisë. Ai ndjehet ashtu me Vullnetin e Zotit, pasi që Zoti ka rrënjosur këto vlera si pjesë e natyrës njerëzore, ai e do të mirën dhe i shmanget të keqes.
Ekzistojnë disa vlera themelore në Kuran që Zoti e urdhëron njeriun t’i përvetësoj, të jetë i dhembshur, i mëshirshëm, i besueshëm, i ndershëm dhe i përulur dhe t’i shmanget tiranisë, padrejtësisë dhe të keqes. Me fjalë tjera, ajo që kërkohet nga feja e Islamit, të cilën Zoti ia ka shpallur njerëzimit dhe ndaj të cilës njeriu është i prirur në mënyrë të natyrshme, janë sikur dryni dhe çelësi që e hap atë, në harmoni të plotë me njëri tjetrin. Zoti na bën me dije për këtë të vërtetë në Kuran si vijon:
Drejtohu me përkushtim në fenë e pastër monoteiste, natyrën fillestare, në të cilën Allahu i ka krijuar njerëzit. S’ka ndryshim të krijimit të Allahut. Kjo është feja e drejtë, por shumica e njerëzve nuk e dinë. (Sure Rum: 30)
Nëse njerëzit nuk i respektojnë kufijtë e përcaktuar nga Zoti në Kuran, ata i bëjnë padrejtësi vet shpirtrave të tyre. Pasi që, duke mos qenë në gjendje të përvetësojnë vlerat që janë në pajtim me krijimin e tyre, ata përvetësojnë sjellje kundër vet natyrës së tyre; kjo jo vetëm se u shkakton shqetësim atyre vet, por i bën ata po ashtu të papërshtatshëm për shoqërinë. Siç shpallet këtu:
...Allahu nuk u bën njerëzve asnjë të keqe, por njerëzit i bëjnë keq vetvetes. (Sure Junus: 44)
Duhet të kemi parasysh se njeriu mund të jetoj vetëm sipas vlerave të lavdëruara nga feja e Islamit nëse e ndjen atë sinqerisht, me një dëshirë të sinqertë. Një fe e cila imponohet me forcë është si e papranueshme në sytë e Zotit, ashtu edhe shkak për shtimin e njerëzve të pasinqertë, të cilëve iu referohet si hipokritë në Kuran. Kjo shpie drejt formimit të një strukture të padëshiruar shoqërore. Zoti urdhëron që njerëzit nuk duhet të detyrohen në emër të fesë:
S’ka detyrim në fe, sepse tashmë është dalluar e drejta nga e shtrembra! Ai që mohon idhujt (dhe gjithçka që adhurohet në vend të Allahut) dhe beson në Allahun, ka siguruar lidhjen më të fortë, e cila nuk këputet kurrë. Allahu dëgjon dhe di gjithçka. (Sure Bekare: 256)
Rrjedhimisht, feja e Islamit nuk ushtron trysni në njerëz në asnjë fushë; përkundrazi, ofron bazën mbi të cilën mund të themelohet liria e vërtetë e ndërgjegjes. Një person i cili përvetëson vlerat e Kuranit nuk mund të kufizohet në asnjë mënyrë. Pasi që ai jeton në pajtim me besimin e tij me vullnetin e tij dhe përmes përdorimit të gjykimit të tij, ai ndjehet gjithmonë i kënaqur dhe i qetë.
Ata të cilët, në anën tjetër nuk iu qëndrojnë besnik këtyre vlerave fetare, nuk mund të arrijnë kurrë lirinë të cilën e gëzojnë besimtarët, për arsye të normave dhe traditave të panumërta që mbisundojnë në shoqëri. Shoqëritë që dështojnë të jetojnë në pajtim me vlerat e Islamit i formulojnë vet vlerat dhe kriteret, duke përqafuar ndalesat dhe në këtë mënyrë, me veprimin e tyre, vetëm se e kufizojnë lirinë që ju është dhuruar nga Zoti. Duke qenë kështu, ata të cilët janë të larguar prej fesë mbeten të privuar nga liria shpirtërore, për arsye të rregullave të pavend dhe sanksioneve që shoqëria ju ka imponuar, si edhe shumë parimeve që ata vet pa nevojë i përvetësojnë.
Forca kryesore që e lidh njeriun, më e madhe se çdo ligj i shoqërisë, është degjenerimi i shpirtit të tij. Dëshirat e papërmbajtura janë burim i shqetësimit të vazhdueshëm të tij. Ato ushqejnë tek ai ndjenjat e pasigurisë dhe frikës për të ardhmen. Për shkak të këtyre prirjeve negative brenda vetvetes, ai ngatërrohet në një luftë të vështirë me ndjenjat dhe dëshirat e ndryshme të tij. Shpirti i tij urdhëron me këmbëngulje atë që të grumbulloj më shumë pasuri, të fitoj më shumë para apo të fitoj admirimin e të tjerëve. Mirëpo, këto janë dëshira të pangopura. Etja për pasuri është një pasion i rrënjosur thellë, i përbashkët për shumë njerëz. Megjithatë, përmbushja e kësaj dëshire vetëm se nxit dëshira të mëtejmë të rrejshme. Në thelb, dëshirat e dynjasë gjithnjë priren të bëhen pjesë e një rrethi vicioz.
Ndërsa ata që banojnë në Medinë dhe që e kanë pranuar besimin qysh më parë, i duan mërgimtarët që vijnë në Medinë dhe në zemrat e tyre nuk ndjejnë kurrfarë rëndimi, për atë, që u është dhënë atyre, por duan t’u bëjnë më mirë mërgimtarëve sesa vetes, edhe pse vetë janë nevojtarë. Kushdo që ruhet nga lakmia e vetvetes, me siguri që do të jetë fitues. (Sure Hashr: 9)
Njeriu e arrin lirinë vetëm kur të pushojë së qeni rob i pasioneve të tij. Që nga ky moment e tutje, kënaqja e dëshirave të pafund të përmendura më lart më në fund ndalon të jetë qëllimi i tij në jetë. Ai fillon një jetë në të cilën fitimi i kënaqësisë së Zotit bëhet qëllimi i tij i vetëm, qëllim për të cilin Zoti e krijoi atë.
Kjo është liria e vërtetë; të qenit rob i Zotit dhe në këtë mënyrë duke e liruar vetveten nga çdo gjë tjetër pos Zotit. Kjo është arsyeja pse gruaja e Imranit u lut në këtë mënyrë:
“Zoti im, unë Ty ta kam kushtuar atë që është në barkun tim, që të shërbejë vetëm Ty; andaj, pranoje prej meje! Se Ti, me të vërtetë, dëgjon dhe di çdo gjë.” (Sure Ali Imran: 35)
Për të njëjtën arsye, Ibrahimi i tha babait të tij:
“O babai im, përse adhuron atë që as nuk dëgjon, as nuk sheh e as që mund të të sjellë ndonjë dobi? (Sure Merjem: 42)
Gjatë historisë, të dërguarit të cilët Zoti ia dërgoi njerëzimit i thirrën ata të shpëtojnë vetveten nga degjenerimi i shpirtrave të tyre apo të bërit rob qenieve njerëzore, për t’i shërbyer vetëm Zotit. Vetëm kur të shpëtojnë vetveten nga një çoroditje e tillë, e cila është në kundërshtim me qëllimin e krijimit të tyre, ata mund të gjejnë prehje. Pikërisht për këtë arsye i dërguari i Zotit (savs) është përshkruar në Kuran si një person i cili: “i liron njerëzit nga barrët e tyre të rënda dhe prej zinxhirëve që i kishin rrethuar ata”:
...dhe atyre që ndjekin të Dërguarin Tonë, Profetin që nuk di shkrim e lexim, të cilin ata do ta gjejnë të shënuar në shkrimet e tyre, në Teurat dhe Ungjill. Ai do t’i urdhërojë ata të bëjnë vepra të mira dhe do t’i ndalojë nga të këqijat; do t’ua lejojë të mirat e do t’ua ndalojë të këqijat, duke i liruar nga barrët e rënda dhe vështirësitë që kanë pasur. Prandaj, ata që do ta besojnë, përkrahin dhe nderojnë atë, duke ndjekur dritën që është zbritur me të, pikërisht ata janë të fituarit.” (Sure A’raf: 157)
Një faktor tjetër në pajtimin e Islamit me natyrën njerëzore është thjeshtësia e tij. Zoti e ka bërë fenë, të cilën Ai e ka shpallur si një fe në përputhje me krijimin e qenies njerëzore, të lehtë për tu zbatuar. Ky fakt theksohet në shumë ajete:
Allahu dëshiron që t’jua lehtësojë (barrët), pasi njeriu është krijuar si një qenie e pafuqishme. (Sure Nisa: 28)

Allahu dëshiron që t’jua lehtësojë dhe jo që t’jua vështirësojë.(Sure Bekare: 185)

Sa për atë që beson dhe bën vepra të mira, atij i takon shpërblimi më i mirë dhe do t’i premtojmë atij lehtësira.” (Sure Kehf: 88)

Prej pikës së farës e krijon dhe i jep përmasa të rregullta. Më pas ia lehtëson rrugën (e lindjes). (Sure Abasa: 19-20)
Kjo thjeshtësi vlen gjithashtu edhe për aktet e adhurimit. Sa i përket ritit të agjërimit, një detyrë fetare që zbatohet gjatë muajit Ramazan, Zoti urdhëron si vijon:
Muaji i Ramazanit është ai, në të cilin ka zbritur Kurani, që është udhërrëfyes për njerëzit, plot me shenja të qarta për rrugën e drejtë dhe dallues (i së mirës nga e keqja). Pra, kushdo nga ju që dëshmon këtë muaj, le të agjërojë! Sa i përket atij që është i sëmurë ose gjendet në udhëtim e sipër (le të agjërojë më vonë) aq ditë sa nuk i ka agjëruar. Allahu dëshiron që t’jua lehtësojë dhe jo që t’jua vështirësojë. Ai dëshiron që të plotësoni numrin e ditëve të agjërimit dhe që ta madhëroni Allahun (në fund të agjërimit), për shkak se ju ka drejtuar në rrugë të drejtë e që ta falënderoni Atë. (Sure Bekare: 185))
Si përfundim, Islami është një fe që është në përputhje të plotë me natyrën e njeriut. Pasi që Zoti i Cili është i kënaqur me Islamin si fe për njeriun, dhe është Ai i Cili e ka krijuar atë. Zoti nuk dëshiron vështirësi por lehtësi për robërit e Tij dhe ka përcaktuar si fe të tyre ato vlera të cilat më së miri përshtaten me nevojat, dëshirat dhe mënyrën e jetës së tyre. Në një ajet të Kuranit, Zoti ynë urdhëron si vijon:
...Sot, dëshpërohen ata që nuk besojnë dhe kanë humbur çdo shpresë, që t’ju largojnë prej fesë suaj. Mos u frikësoni prej tyre, por kini frikë prej Meje! Sot jua përsosa fenë tuaj, e plotësova dhuntinë Time ndaj jush dhe zgjodha që Islami të jetë feja juaj... . (Sure Ma’ide: 3)

Hiç yorum yok:

Yorum Gönder